Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka folur sërish për marrëveshjen për kufirin detar me Shqipërinë duke e cilësuar të shkëlqyer, sigurisht që për vendin e tij. Ai tha se parimisht kanë rënë dakord me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe tani pritet autorizimi i Presidentit për të vijuar procedurat. Nuk nguroi që përmes Shqipërisë të godiste Turqinë lidhur me konfliktin në Egje.
“Historia e marrëveshjes në parim me Shqipërinë është diçka për të cilën unë jam veçanërisht i lumtur. Do mund të thoja dhe krenar. Shqipëria ka rënë dakord në parim dhe këtu duhet të vendosim emër, Edi Rama u dakortësua në parim me sa pikërisht i propozojmë dhe Turqisë.
Se si konkretisht do të specifikohet në draft projekti për Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, do duhet ta shohim në kuadrin e autorizimit që do t’i jepet qeverisë Rama nga presidenti shqiptar. Por parimisht, marrëveshja është e shkëlqyer, një marrëveshje shembull për Turqinë.
Sepse të mos harrojmë se Edi Rama është mik i ngushtë i presidentit Erdogan, Shqipëria është vend mik i Turqisë. Unë besoj se mund të jetë njësoj vend mik edhe i Greqisë. Nuk e konsideroj një lojë të shumëzuar me zero. Por Shqipëria, mikja e Turqisë, ra dakord, bëri marrëveshje pikërisht me të njëjtin propozim që i bëmë dhe Turqisë” tha ai.