Tenderat janë kryefjalë e muajve të fundit. Kanë qenë të shumtë. Të panumërt nga bashkitë socialiste, por edhe institucionet e tjera qeverisëse. Autoriteti Rrugor Shqiptar renditet në podium për milionat që ka tenderuar në muajt e fundit.
Së fundmi, në datë 28 Prill ARRSH ka shpallur fituesin e tenderit për ndërtimin e nyjes Bërzhitë dhe rrugëve lidhëse të autostradës Tiranë – Elbasan me komunën Bërzhitë dhe zonat përreth.
“5Pyetjet.al” publikon dokumentet e tenderit. Fondi limit i vendosur në dispozicion ishte 197 254 215,00 Lekë, ndërsa fituesi u shpall me 166 320 000,00 Lekë.
Të drejtën për të ndërtuar rrugët e fitoi bashkimi i operatorëve SHKELQIMI 07 – FLED – S&L STUDIO. Mes tre firmave njëra është e njohur për publikun dhe aq më tepër të politikën.
Bëhet fjalë për “SHKELQIMI 07”, e cila është në pronësi të Shkëlqim Kapllanajt, vëllai i Agron Kapllanajt, i cili kandidon në Mallakastër me siglën e PD-së zyrtare që drejtohet në mënyrë të komanduar nga Enkelejd Alibeaj me hijen e Lulzim Bashës.
Në muajt e fundit opozita ka denoncuar disa tendera që ka fituar nga pushteti, kompania e vëllait të kandidatit të Alibeajt në Mallakastër. Tenderi i fundit që fitoi ishte në 24 Prill, 240 milionë lekë për rikonstruksionin e disa akseve kryesore të Njësisë Novoselë. Katër ditë më pas mori tenderin e radhës, 1.5 milionë Euro, pa TVSH.