Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur pesimist se do të arrihet një zgjidhje për Asociacionin. Ai ka thënë se qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta, prandaj nuk pret diçka pa u demokratizuar Serbia.
Sipas Konjufcës ajo çka është e mundur për Kosovën për themelimin e këtij mekanizimi pa kompetenca ekzekutive, është e papranueshme për Serbinë.
“Ajo çka është e mundshme për Kosovën dhe cilat janë vijat e kuqe për Kosovën, ato janë të papranueshme për Serbinë siç duket. Prandaj kaq larg dhe të papajtueshme janë pozicionet.
Prandaj unë vërtet nuk pres diçka pa ndryshuar Serbia në drejtim të demokratizimit dhe shtetit atje.
Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve 90, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë.
Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, është shprehur ai.