Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në takimin me Profesionistët e Lirë të Shqipërisë për herë të parë premtoi se vendimmarrja për çështje të caktuara pas 14 Majit do të merret nëpërmjet referendumeve lokale.
“Unë me kënaqësinë më të madhe do të rikthej praktikën e referendumeve lokale në qytet, ku për çështje të caktuara do të vendosin qytetarët. Kështu që duke rikthyer referendumet lokale, unë gjykoj se ne i japim fuqi qytetarëve, i japim fuqi qytetit, edhe sigurisht ne jetojmë në një demokraci funksionale dhe nuk duhet ta jetojmë vetëm në letra”.
Kelliçi risolli sërish në vëmendje premtimin e urbanit falas. Sipas tij Veliaj nuk ka dhënë asnjë argument pse është i pa realizueshëm.
“Kam dëgjuar një mijë e një arsye se pse ky premtim nuk bëhet, por në asnjë moment nuk kam dëgjuar asnjë arsyetim logjik apo racional, se ku bazohet kundërshtari politikë, le të themi, në këtë garë, për këtë qëndrim që mban. Dhe nga ana tjetër, unë kam dal me një qëndrim që nuk e kam shpikur unë. Eshtë një praktikë që ndiqet në 250 qytete të botës, në disa kryeqytete”.
Në pikat programit të tij, Këlliçi thotë se është edhe ndërtimi i 500 oazeve të gjelbra në lagjet e Tiranës. Ulja e kostove të jetesës qëndrojnë sipas kandidatit të PD për Bashkinë e Tiranës në thelb të programit.