Instituti për Bashkitë e Shqipërisë sapo ka publikuar raportin vjetor të monitorimit, ku vërehet një shpërndarje e pabarabartë e shërbimeve publike midis zonave urbane dhe atyre rurale. Raporti veçon si një nga problemet më të mëdha aktualisht dallimet dhe shpërndarja e pabarabartë të shërbimeve publike në zonat urbane dhe ato rurale.
Autori i studimit dhe drejtuesi i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimihali, thotë se diferencat në shërbimet publike nga zonat urbane në ato rurale, ku jetojnë 30-40 për qind e popullsisë është shumë e madhe.
“Defektet kryesore që vëren raporti i monitorimit për vitin 2022 janë kryesisht të lidhura me shpërndarjen e pabarabartë të shërbimeve midis zonave urbane dhe zonave rurale. Ky është një problem jashtëzakonisht i madh. Ne e kemi konstatuar disa herë, është edhe një konstatim i Bankës Botërore në raportin e fundit për Shqipërinë, që thotë se ka pabarazi dhe se shërbimet publike, pas reformës territoriale, janë lënë totalisht pas dore”, thotë zoti Haxhimihali.
Në raportin vjetor të monitorimit mbi qeverisjes vendore, Instituti për Bashkitë e Shqipërisë propozon të rivlerësohet gjendja e pushtetit vendor nga pikëpamja administrative, sepse shumë nga bashkitë e mesme dhe të vogla nuk realizojnë në masën e duhur funksionet e tyre.