Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me shpërthimin e bombolës i cili ndodhi ditën e sotme në Kuçovë ku mbeti viktimë 84-vjeçarja, Alije Kosova.
Mësohet se viktima ishte e paralizuar prej 2 vitesh dhe për të kujdesej bashkëshorti dhe një kujdestare pasi 3 fëmijët jetonin jashtë vendit.
Nga shpërthimi ka mbetur i plagosur rëndë edhe bashkëshorti i 84-vjeçares, Mustafa Kosova.
Ai u transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi ka pasur dëmtime dhe djegie në më shumë se 70% të trupit.
Komshinjtë e familjes Kosova tregojnë se shpërthimi ishte i fuqishëm, sa në një moment iu është dukur si tërmet. Më pas ata pohojnë se dolën jashtë dhe mësuan çfarë kishte ndodhur.
Nga shpërthimi gjithashtu pati shembje të banesës së tyre çka vështirësoi nxjerrjen në kohë të viktimës pasi rrënojat i zunë poshtë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe mësohet se çifti i të moshuarve kishin ndezur bombolën e gazit për të bërë kafen e mëngjesit.