Policia e Fierit ka shpallur në kërkim 22-vjeçarin Pavli Dafa pasi pas një konflikti për motive të dobëta ka tentuar të vrasë 2 persona duke i përplasur me makinë.
Mësohet se i riu goditi qëllimisht automjetin e tyre ku më pas u largua nga vendngjarja me automjetin e të dëmtuarve.
Gjatë largimit, 22-vjeçari dëmtoi edhe një automjet tjetër të parkuar.
Sipas njoftimit të policisë 22-vjeçari dhe babai i tij, shtetasi A. D. janë konfliktuar fizikisht me 26-vjeçarin me inicialet E. Sh., 30-vjeçarin me inicialet D. L., 30 dhe një 15-vjeçar.
Pas konfliktit, dyshohet se 22-vjeçari ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte, shtetasit E. Sh. dhe D. L. ( të cilët ndodheshin jashtë automjetit në momentin e përplasjes) dhe automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas, si dhe ka përplasur aksidentalisht edhe një automjet tjetër, të parkuar anash rrugës.
Më pas dyshohet ai ka marrë automjetin e shtetasve të dëmtuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga përplasja janë dëmtuar shtetasit E. Sh. dhe D. L., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Automjeti i shtetasit E. Sh. u gjet nga Policia, i braktisur në fshtin Visokë, Mallakastër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
22-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja”.