Fushata ka hyrë në javën e fundit, por risi nuk ka. Të paktën duke parë ditën e parë të javës që po mbyllet përpara se të shkojmë tek kutia e votimit. Kryesocialisti Edi Rama ishte në Peqin dhe në qarkun e Beratit. Por takimet ishin thuajse fotokopje të njëra tjetrës me përjashtim të fillimit që ndryshonin emrat e kandidatëve socialistë që kërkojnë edhe një tjetër mandat.
“BE e nxori Samitin për herë të parë jashtë kufijve të saj dhe e solli në Tiranë. Në Tetor Samiti i Berlinit zhvillohet në Tiranë. Berishës dhe Metës nuk u kapen dyert në BE. Janë faqja e zezë. Zorra qorre. “Salike” floriri. Ai është gërdallë 80-vjeçare”. Këto janë fjalitë që nuk mungojnë në çdo takim.
Dhe në fund, si çdo herë kërkesa për gratë. “Bindni burrat që të votojnë ose në rastin më të keq t’i mbyllni brenda atë ditë” janë fjalët e kryeministrit në çdo takim. Projekte apo program konkret nuk kemi dëgjuar deri tani.
Risia e vetme në Berat ishte një mesazh i fortë për patriotët e Ilir Metës. “Unë nuk kam lënë gjë pa bërë për ta sjellë në rrugë të mbarë, por u bind edhe Nasipi (Naço), që Likja nuk bëhet. Ata skraparllinj që nuk janë bindur që “Likja” nuk bëhet, nuk bëhen as ata”.