Këto ditë që shënojnë javën përmbyllëse të spektaklit elektoral për zgjedhjet vendore, kandidatët e shpallur po iu japin dorën e fundit platformave përkatëse dhe premtimeve për kontributet që do të sjellin për zhvillimet e mëtejshme ekonomike, sociale, kulturore etj në zonat ku garojnë.
Po bëjnë përpjekjet e nevojshme që të bindin zgjedhësit për t’iu marrë votën. Mund të thuhet me kënaqësi se në përgjithësi, kandidatët aktualë, më mirë se herët e tjera, kanë imponuar gjithësesi respekt, për vlerat që perfaqesojne, për kurajon qytetare dhe intelektuale dhe për barrën e madhe që guxojnë të marrin persiper perballe bashkëqytetarëve të vet, shkak për të cilin tërheqin vëmendjen për mirë kur shihen përnatë në ekranet e televizorëve, nëpër qytete, lagje, rrugë, mjedise sociale etj, duke folur, për platformën e tyre ose të forces politike që përfaqësojnë.
Disa prej tyre i njoh personalisht. Me kolegun Roland Bejko, përveç se jemi nga një anë, kohë më parë kemi qenë pedagogë në UET. Ai përfaqëson një intelektual të formuar në Francë, me individualitet të spikatur.
Mjeken Lejla Pernaska, e kam takuar vite më parë në Gjenevë, ku dallohej në veprimtaritë e organizuara nga segmente ndërkombëtare të shoqërisë civile. Arlind Qori bën pjesë në radhët e pedagogëve të pëlqyer, të bindur në idealizmin e vet, të cilin e shpalos gjithë pasion si veprimtar i vendosur dhe i paepur. Për Belind Këlliçin, di që vjen nga një familje tiranase me tradita. Ndoqi rrugën e formimit profesional në SHBA dhe u kthye në atdhe me ëndërra dhe aspirata rinore, për të dhënë kontributin e vet në politikën shqiptare.
Të tjerët, me përjashtim të Erion Veliajt, nuk i njoh dhe rezervohem të shprehem.
Është ky konfigurim cilësor i kandidatëve, me sa duket arsyeja përse kjo fushatë zgjedhore e Tiranës, mund të vlerësohet pozitivisht. Kandidatët, secili brenda individualitetit, objektivave personale dhe atyre të forcës politike që përfaqësojnë, janë munduar të manifestojnë etikë qytetare, morale dhe politike, çka bën që edhe zgjedhësit të ndjehen të vlerësuar.
Në fushata të kësaj natyre shfaqen zakonisht dy palë, njëra ajo e cila është ende në pushtet, që duket në pozita më të avantazhuara, tjetra, ku janë rreshtuar ata që e lakmojnë. Për këtë shkak, jo rrallë here, vihen re sulme me karakter personal dhe qëndrime jo parimore e realiste, sjellje populiste e madje vulgare ndaj programeve elektorale të kandidatëve, çka mund të bëjë që fushata të mos priret gjithmonë nga ballafaqimi i ideve, programeve, angazhimeve njerëzore, politike, sociale, punës dhe përkushtimit të kandidatëve, por ndonjëherë edhe nga mllefe partiake dhe dufe individuale.
Kur u ula të hidhja këto mendime m’u kujtua një shkrim i hershëm i mikut dhe kolegut tim të çmuar, prof. Et’hem Ruka për Parisin. Prej tij më kishte mbetur në mendje fakti që ky qytet edhe sot e kësaj dite ruan në një sfond ende të pazbehur kujtese imazhin e dy njerëzve, të cilët mbi një shekull e gjysmë përpara, u ndodhën në krye të Francës dhe të Parisit, Perandorit Napoleon i Tretë dhe prefektit, Georges-Eugène Hausmann (Osman).
Mbi bazen e studimeve serioze, me karakter arkitekturor, teknik, ekonomik, social, politik, demografik, mjedisor, hidrologjik, si dhe të perspektivave të transportit, komunikimit, veprimtarive kulturore, shkencore, artistike, sportive, rekreative, relaksuese, fetare etj, ata filluan nje veprimtari te paimagjinueshme transformuese per Parisin, per kohen dhe perspektivën.
Në mesin e shek XIX, popullsia e tij ishte dyfishuar, në krahasim me vitin 1815, por nuk kishte pasur rritje në sipërfaqe dhe në infrastrukturë. Për të sistemuar të ardhurit rishtas si dhe ata që do të zhvendoseshin nga qendra, ku do të shkatërroheshin qindra ndërtesa të vjetra, për ndërtimin e bulevardeve dhe shesheve të reja të planifikuara, ndërmorën një numër sistemimesh, punimesh, ndërtimesh, riparimesh etj që, për rreth tre dekada, e shndërruan Parisin në një kantier gjigand ndërtimi.
Përveç të tjerash atij iu shtuan edhe njëmbëdhjetë komuna nga zonat përreth, u ndërtuan dy ujësjellës, që e rritën furnizimin me ujë nga 87.000 në 400.000 metër kub ujë në ditë, u shtruan qindra kilometra tuba për shpërndarjen e tij në të gjithë qytetin, u rindërtuan gjithë kanalizimet dhe u instaluan kilometra me tuba për të shpërndarë gazin për mijëra drita për ndriçimin e rrugëve. U ndërtuan gjithashtu edhe tetëdhjetë kilometra rrugë të reja.
Nga Arc de Triomphe do të dilnin 12 bulevarde, që të ndihmohej zgjidhja e problemit të trafikut dhe ndërlidhja me ndërtesat historike të qytetit. U ndërtuan dy stacione të rinj hekurudhorë, Gare de Lyon (1855) dhe Gare du Nord (1864), përfundoi Les Halles, tregu i madh i prodhimeve të hekurit dhe xhamit në qendër të qytetit, në vendin e ndërtesave mesjetare të shkatërruara në Ile de la Cité, u ndërtua një spital i ri komunal, Hôtel-Dieu etj.
Parqeve ekzistuese Monceau dhe Jardin du Luxembourg, iu shtuan edhe katër të tjerë, Bois de Boulogne, Bois de Vincennes, Parc des Buttes-Chaumont dhe Parc Montsouris. Në tetëdhjetë lagjet e Parisit u krijuan gjithashtu parqe dhe kopshte të vogla, që u quajtën “sallone të gjelbra dhe të lulëzuara”. Mijëra vetë gërmuan dhe krijuan liqene, ndërtuan kaskada, krijuan lulishte, mbollën pemë dhe ndërtuan shtëpi.
Në këtë mënyrë, në mesin e shek. XIX, Bonaparti dhe Osmani ndërtuan Parisin e ri, sipas një projekti që çoi në shpërnguljen e rreth 350.000 njerëzve.
Nuk pretendoj të vë shenjën e barazise midis Parisit te Osmanit dhe Tiranes se Veliajt. Por Osmani ka mbetur një model pozitiv vizioni, vendosmërie dhe progresi, për situata të tilla të ngjashme. Sepse, megjithatë edhe në rastin e zhvillimit të Tiranës ka disa përngjasime, ndoshta të largëta.
Popullsia e saj, brenda rreth tre dhjetëvjeçarëve, u shtua në përmasa të papara. Bashkë me të u zgjerua sipërfaqja e banuar, u rritën nevojat për strehim, objekte sociale, institucione arsimore, kulturore, sportive, rrugë, kanalizime, furnizim me energji elektrike, ujë, parqe, lulishte, mjedise rekreative etj. Të gjitha këto kërkonin zgjidhje të shpejta, të studiuara, moderne dhe të qëndrueshme. Përballimi i tyre mund të arrihej vetëm me vizion, pasion, punë, përkushtim etj, që duhet të buronin prej organeve të pushtetit qendror, të plotësoheshin dhe realizoheshin nga organet vendore.
Fushata ka shtuar së tepërmi vlerësimet pozitive dhe kritikat, deri në më të skajshmet për kandidatët e secilës palë. Në krye të tyre, në pozicionet tradicionale kundërshtuese, qëndrojnë ata që lakmojnë pushtetin. Në kurthin e kësaj prirjeje bien ndonjëherë edhe përfaqësuesit e forcës politike në pushtet, të cilët duket sikur nuk lodhen së lëvduari gjithëçka, të bërë e të pabërë.
Mendoj se nuk është e nevojshme për të paraqitur si realizime në faturën e arritjeve elektorale edhe mosrealizimet. Sepse edhe pse mund dhe duhet të ishte bërë më shumë e më mire, realisht nuk është bërë pak dhe bilanci del pozitiv. Aq më tepër nëse mbahet parasysh se sistemin monist vendi ynë e la pas vetëm 30 e ca vjet më parë.
Sado përpjekje të bëhen për të rendur me kapërcime pindarike, është e vështirë që, në kaq pak vjet, të realizohen ato që të tjerët i kanë bërë për disa shekuj. Prandaj, nuk themi ndonjë gjë të pabesueshme nëse guxojmë të pohojmë se mund të kenë mbetur premtime pa u kthyer në realitete. Në Tiranë, si në gjithë Shqipërinë, ka ende mungesa, ka fatkeqësisht njerëz të varfër, që vuajnë, që ndoshta s’kanë një kulm mbi kokë, që nuk mbushin barkun me bukë, por që mbeten gjithësesi të respektuar deri në pafundësi.
Veç kësaj, e tillë është jeta njerëzore, jo vetem në Tirane, por edhe në kryeqendra të tjera, që konsiderohen simbole të qytetërimit, zhvillimit, progresit si në Paris, Romë, Bruksel, Londër, Berlin, Vjenë, Hagë, Kopenhagen, Madrid, Uashington, Nju Jork, Toronto, Stamboll, Athinë, Pragë etj etj., ku megjithë zhvillimin marramendës, prosperitetin, luksin etj, në periferitë e tyre mund të shihen edhe bidonvile, pamje të dhimbshme, të pabesueshme, mjerim e varfëri.
Madje ka edhe sistuata më ekstreme si ato në Ukrainë, Sudan etj. ku plumba, gjyle topash e raketa bien mbi shtëpitë e njerëzve, mbi trupat e tyre, vrasin fëmijë e të moshuar, të rinj e të reja, burra e gra që s’kanë bërë asnjë mëkat etj.
Tirana dhe gjithë Shqipëria janë pjesë e realitetit botëror tepër kompleks. Ato, me gjithë problemet, kanë ndryshuar, kanë ecur përpara, kanë shënuar arritje, janë mbushur me ndërtime moderne që shumica i kanë hijeshuar, sikurse ka ndodhur edhe e kundërta, ndërtime problematike.
Por, sidoqoftë, Tirana e sotme, është duke ecur drejt realizimit të ëndrrës së shqiptarëve, që aspirojne ta shohin vendin e vet, pjesë të Europës dhe veten qytetarë të saj.
Prandaj vështirë të besohen ata kandidatë ose përfaqësues të forcave politike kundërshtare, që mohojnë arritjet e realizuara në Tiranë dhe kudo në Shqipëri gjatë këtyre vjetëve. Madje, ndonjëherë nihilizmi superpozohet edhe te gjithëçka racionale që propozohet në programin e kandidatëve kundërshtarë, që garojnë për drejtues të pushtetit vendor.
Ndonjë prej tyre, në vend që të shpalosi platformën e vet të qeverisjes, e ka më të lehtë të përdori fyerjet dhe shpifjet ndaj të tjerëve. Nuk është e dëshirueshme as edhe e besueshme, sepse votuesit, madje edhe militantët partiakë, megjithë indoktrinimin intensiv, kanë sy dhe shohin, kanë mend dhe arsyetojnë dhe japin vlerësimin pozitiv apo negativ.
Pamja e një qyteti mban edhe imazhin intelektual, kulturor, civil, politik, profesional, etik etj. të atyre që kanë pasur fatin dhe privilegjin të kenë qenë në krye të strukturave drejtuese të tij. Midis të cilëve janë dalluar njerëzit me vlera, sikurse janë veçuar ata që erdhën nga anonimati dhe ikën po atje, pa lënë asnjë gjurmë.
Edhe Tirana, kryeqytati ynë, mishëron punën, kontributin ose edhe paudhësitë e tyre. Njëri prej tyre, Erion Veliaj, pati shansin të provohet për një periudhë 8 vjeçare, kohë gjatë së cilës qytetarët e Tiranës dalluan sjelljen qytetare, edukimin e konsoliduar, emancipimin, formimin dhe mentalitetin perendimor që e karakterizojnë. Shumëkush e sheh me simpati, si njeri të punes që flet nepermjet vepres se realizuar, përmes çerdheve, kopshteve te fëmijëve, shkollave, banesave sociale, infrastrukturës rrugore, urave, parqeve, komplekseve rekreative e shumë objekteve të tjera.
Erion Veliaj është kryetari punëtor i palodhur, që e dashuron qytetin qe drejton, që i ka falur perkushtimin, kohen, entusiazmin, karizmen e vet dhe që ka kontribuar për ta shndërruar atë në qytetin e jetës, rinisë, kulturës, artit, sportit etj. Portreti i tij qëndron në peisazhin social, politik, ekonomik, kulturor, demografik, arkitekturor, në transformim të vazhdueshëm i Tiranës së ditëve tona.
Ai flet duke i dale zot nje Tirane te kthyer në kryeqendren e shqiptareve, ku aktualisht jetojnë rreth 900 mijë vete, përmirësimeve në infrastrukturën rrugore, transportin publik, në zhvillimet e reja te përditshme. Ato shihen lehtë, sidomos ne Tiranen policentrike, ku perveç Pazarit te ri, Kalase se Tiranës, pedonales dhe zonave përreth, sheshit “Skënderbej”, stadiumit të ri, parkut zoologjik etj, një vend te veçante kane zene parqet e liqenit Artificial, liqenit të Farkës, atij të Liqenit të Thatë e Kasharit, zona e Astirit, e Laprakes, Kamzes, Freskut, zona e 5 Majit, Bregu i Lumit, Tirana te ish stacioni i trenit e më gjerë. etj, të shndërruara në qendra moderne urbane.
Tirana e sotme është një qytet me më shumë mirëqenie e prosperitet, ku është rritur numri i të punësuarve, i turistëve, rrjedhimisht i hoteleve, bareve e restoranteve, që kanë një ideim, projektim, kompozim dhe shërbim të cilësisë europiane etj.
Banorët e hershëm të tij, kanë parë transformimin e pabesueshem, më shumë se gjysmëshekullor, qe nga koha kur qendra dominohej nga kulla e sahatit, minarja dhe xhamija, ndërtesa monumentale e Bankës së Shqipërisë, kompleksi i ministrive, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, trajektorja Kombinat-Kinostudio, nga ajo qe quhej pazari e qe u zevendesua nga Pallati i Kultures etj. Ata kanë tashmë të regjistruar në memorie rritjen, shtrirjen, zbukurimin, hapjen dhe shnderrimin e saj ne nje metropol te vertete, te shqiptareve dhe të krejt Ballkanit.
Rritjen e ka sjelle nder te tjera ndërtimi, shtimi dhe zgjerimi i shërbimeve, industrive qe kane rrethuar periferite e saj, që janë vepër e shpirtit artistik, prirjes civilizuese, qyteterimit, kulturës dhe mbi te gjitha punës së palodhur, sakrificave, lodhjes, mundimit të shqiptareve, të mijëra e mijëra njerëzve të zakonshëm në emigracion, që kanë guxuar të sjellin dhe të investojnë në vendin e vet kursimet e realizuara me mund, me frymën zhvilluese, mentalitetin progresist.
Shkollat e ndërtuara ose të rindërtuara në Tiranë, që u përmendën më lartë, nuk duhen parë thjeshte si ngrehina me mure e çati, por si “çerdhe”, ku femijet e tiranasve, të të gjithëve, autoktonëve dhe të ardhurve nga gjithë vendi, marrin dije, kulturë, formohen per te ardhmen, per Tiranen dhe Shqiperine europiane. Pare ne kete optike ato jane kontribut per qyteterimin e brezave te rinj, që nesër kur të rriten, të respektojnë shtetin, ligjin, tempujt e dijes dhe të mos gjuajnë me gurë, të mos djegin e të mos shkatërrojnë dyert e dritaret e institucioneve shtetërore, muzeumeve, shkollave etj.
Kur flitet për Tiranën e sotme nuk mund të lihet mënjanë aspekti i saj ndërkombëtar, jo vetëm si vend i preferuar nga turistët e panumërt, por edhe për lidhjet e shumëfishta të institucionalizuara me ndërkombëtarët.
Aty ka rolin e vet edhe Erioni, i prezantuar si një drejtues e politikan modern, si figurë publike e spikatur, negociator interesant dhe partner i pelqyeshem per homologet e huaj. Si i tillë ka ditur të tërheqë edhe vëmendjen e institucioneve prestigjioze europiane e më gjerë, duke i bërë madje pjese te veprimtarive politike, të projekteve zhvilluese etj. Tirana ishte “kryeqyteti europian i rinisë”, është “kryeqyteti europian i sportit” etj.
Aty janë organizuar një numër veprimtarish të rëndësishme, si Takimi i Nivelit të Lartë BE-Ballkani Perëndimor, ose finalja europiane e Conference League në “Air Albania” etj. Doemos ato nuk mund t’i atribuohen Erion Veliajt, por nuk mund të thuhet se qënia e tij në krye të Tiranës ishte pa ndikim.
Kjo panoramë entusiaste nuk shihet vetëm në Tiranë. Është kudo ku drejtojnë njerëz që e duan jetën, që i duan njerëzit, që kanë ide dhe që punën e kanë pasion. Si shembull tjetër pozitiv do të përmendja Gjirokastrën, ecurinë e se cilës, qoftë edhe për shkak se është vendlindja ime, e kam ndjekur me vëmendje. Edhe ajo ka ndryshuar dhe është transformuar. Ështe bere shume e bukur.
Është një qytet me pamje magjike, e shtrirë në rrëzë zë Malit të Gjerë, hapësira e të cilit dominohet nga kalaja, nga më të mëdhatë e më të mirëmbajturat në vend dhe në rajon, dhe nga disa dhjetra shtëpi karakteristike, tip chateau.
Gjirokastra me hijeshinë e vet unikale është rikthyer në kohët e saj më të mira. E kane bërë, doemos gjirokastritët, të mençurit, të mirët, punëtorët e palodhur, duarartët. Por nuk mund të mos vlerësohet me shumë simpati e lëvdata edhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i një të riu tepër energjik, me emrin simbol Flamur (Golemi), i kudogjendur, në çdo skaj të Gjirokastrës, gjithmonë në këmbë, gjithmonë buzagaz, si flamurtar, nxitës i papërkulur i zhvillimit dhe i progresit befasues.
Le të urojmë që të gjithë kandidatët dhe forcat politike që ata përfaqësojnë, ta çojnë me sukses në finish garën e tyre elektorale në të mire të Shqipërisë dhe të shqiptarëve./ dita