Një super sfidë me gola dhe raste pa fund. E luftuar në cdo cep të luftës, por në fund pa fitues. Reali i Madridit dhe Manchester City e shtyn vendosjen e kualifikimit në ndeshjen e dytë në Angli.
Por mbrëmja e djeshme kishte përballje jo vetëm në fushë, por edhe stol mes Guardiolës dhe Ancelotit. Sytë ishin te Haland që ka shënuar 51 gola këtë sezon. Por në Madrid u zhduk nga radarët. Faktori Anceloti. Italiani arriti që ta neutralizonte 100% norvegjezin, analizon Marca.
Madridi bëri shumë gjëra mirë në mbrojtje. Por mbi të gjitha ishte një: rrethimi i Halandit dhe De Bruyne nga loja. Norvegjezi kishte Rüdiger ngjitur gjatë gjithë lojës, me vigjilencë ekstreme nga Alaba dhe ndihmë shtesë nga Kroos.
Fillimi i Cityt ishte inekzistent sepse Haland nuk ishte në gjendje të ulte një top. As nuk e gjeti vendin e tij në zonë dhe nuk e goditi asnjëherë portën.
Pas rezultatit 1-1 në Spanjë, ndeshja e dytë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve mes Manchester Cityt dhe Real Madridit do të luhet të mërkurën, më 17 maj, në orën 21:00 në stadiumin Etihad. Real Madridi do të tentojë të marrë fitoren në stadiumin anglez dhe kështu të arrijë kalimin në finalen e Stambollit.