Pas dy vitesh, SPAK-u i kërkoi gjykatës të pushojë hetimin e nisur ndaj Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt, i dënuar për trafikimin e 613 kg kokainë kolumbiane në Shqipëri.
Selim Çekaj u arrestua në prill të vitit 2021 në lidhje me një sasi prej 49 kg kokainë të gjetur në shasinë e një kontejneri me banane të porositur në Ekuador nga kompania nën administrimin e tij.
Gjatë hetimit të SPAK nuk është provuar që Çekaj të ketë pasur dijeni mbi sasinë e drogës e as të jetë angazhuar për trafikimin e saj. Hetimi për identifikimin e trafikantëve të 49 kg vijon.
Selim Çekaj qëndroi në masën e sigurisë “arrest në burg” nga prilli në tetor 2021 e më pas masa ndaj tij u zbut me kërkesë të SPAK dhe atij vetë në “arrest shtëpie” e në “detyrim për paraqitje”.