Kryeministri, Edi Rama gjatë takimit përmbyllës të fushatës së Partisë Socialiste në Durrës u shpreh se paga mesatare 900 euro e cila do të përmbushej brenda këtij viti do jetë një objektiv për vitin e ardhshëm.
Premtim ky i cili u shty sërish edhe pse ai ishte shprehur se kjo do të ndodhte brenda këtij viti.
“Sot po bëheni dëshmitarë të faktit se me gjithë këto probleme që na kanë detyruar që të ndalojmë në vend jo njëherë por tre herë. Të marrim më shumë fonde për të përballuar ato probleme, jemi sot në momentin kur po bëjmë rritjen më të madhe të pagave në Shqipëri.
Po kthejmë atë që ka qenë investimi i kaq shumë njerëzve me vota dhe investime. Në fund të ditës patjetër që të gjithë ata që na kanë votuar, na kanë votuar që të bëjmë qytetet më të bukura. Të kemi shkolla më të mira, të bëjmë spitale. Por na kanë votuar që në fund të muajit të çojnë më shumë të ardhura në shtëpitë e tyre.
Ky është momenti i një feste të madhe që do të bëjë që paga mesatare vitin e ardhshëm në sektorin publik të shkojë nga 530 euro të shkojë në 900 euro dhe kjo të shoqërohet me një rritje të përgjithshme,” deklaroi Rama.