Drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se gjatë fushatës zgjedhore janë evidentuar 54 raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore.
Rrumbullaku gjithashtu shtoi se janë proceduar penalisht gjithsej 88 shtetas në lidhje me këto vepra.
Ai shtoi se gjatë fushatës së zhvilluar nuk ka ndodhur asnjë incident që cënon procesin dhe se gjatë kësaj periudhe u angazhuan maksimalisht 5081 punonjës policie.
Nga të dhënat statistikore rezulton se:
Nga data 14.04.2023 deri më 12.05.2023, janë evidentuar gjithsej 54 raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, për të cilat janë proceduar penalisht gjithsej 88 shtetas.
Të ndara sipas veprave penale:
1-Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 25 raste me 45 autorë;
2-Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, 1 rast me 1 autor;
3-Korrupsioni pasiv në zgjedhje, 20 raste me 25 autorë;
4-Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 2 raste me 3 autorë;
5-Pengimi i zgjedhësit, 3 raste me 7 autorë;
6-Shkelja e të drejtës së zgjedhjes, 3 raste me 7 autorë.
“Për veprat penale të sipërcituara, grupet e posaçme hetimore kanë vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe me autorizimet e organeve proceduese, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve.
Tashmë kemi mbërritur në fazën finale të këtij procesi, dhe detyrat dhe angazhimi i Policisë së Shtetit janë më të shtuara, me qëllim që të garantohet rendi dhe siguria publike, si dhe që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të ushtrojë qetësisht dhe i sigurtë, të drejtën kushtetuese për të votuar,” deklaroi Rrumbullaku.