Pasditen e sotme u regjistrua një aksident i rëndë në aksin rrugor Prishtinë-Pejë ku një autobus me nxënës është përplasur me një kamion dhe një makinë.
Nga kjo përplasje mbetën të plagosur 30 persona. Në ekskursion mësohet se kanë qenë 3 autobusë me nxënës por në aksident është përfshirë vetëm njëri prej tyre.
Ndërkohë Qendrën Klinike Universitare në Kosovë ka njoftuar se 13 pacientë kanë marrë trajtime pas aksidentit që ndodhi në Vragoli, ku mbeten 30 të lënduar.
Drejtori në SHML Teknike “Presheva”, Talat Arifi pohoi se 7 nga të plagosurit ishin nxënës.
Në udhëtim ishin edhe dy autobusë të tjerë që shpëtuan pa u përfshirë në ngjarje, të cilët po ashtu po ktheheshin nga shëtitja 6 ditore.
“Patëm një pauzë te një pompë e benzinës, dhe për 10 minuta udhëtim pasi dolëm ndodhi aksidenti. Kompania me të cilën e kemi organizuar këtë eksukurzion tani është organizuar dhe është duke e sjellë autobusin, që t’i marrë nxënësit e tjerë dhe t’i dërgojë në shtëpitë e tyre”, u shpreh Arifi.
“Me vete kemi pas mjekun dhe infermierin të cilët menjëherë kanë dhënë ndihmat e para që duhet t’u jepen nxënësve për shkak të frikës që e patën në autobus”, tha mëtej drejtori.
Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, që tha se nxënësit janë mirë dhe se komuna bashkë me agjencionin turistik kanë marrë masa për sigurimin e transportit.