Sot në mesditë kandidati i Sali Berishës dhe Ilir Metës për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është lënë në burg nga gjykata e Vlorës pasi dje u arrestua për blerje votash. “5Pyetjet.al” publikon foton e Belerit brenda seancës gjyqësore ku është fiksuar në një moment pavarësisht masave të forta.
Gjykata e Vlorës ka kaluar dosjen e Fredi Belerit në SPAK. Në burg është lënë edhe Pandeli Kokaveshi i akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit në blerjen e votave të qytetarëve në Himarë.
Masa e sigurisë për mikun e Belerit u dha në Tiranë në QSUT, ku Kokaveshi është shtruar paraditen e sotme për shkak të problemeve kardiake. Të dy akuzohen për blerje votash.
Fredi Beleri u arrestua pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë 40 mijë lekë për votat e 8 personave.
Lekët u sekuestruan ndërsa pas arrestimit, disa qytetarë nga Himara thanë se Beleri u ka ofruar deri në 10 mijë lekë për votë.