Deputetja e PD-së nga krahu i Sali Berishës, Albana Vokshi kallëzoi sot penalisht në SPAK, drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), Dallëndyshe Bici.
Selia blu thotë se nga pamjet e filmuara nëpërmjet mediave televizive, “rezultoi se drejtoresha e ASHK në Tiranë është përfshirë në një skandal, pikërisht një ditë para zgjedhjeve të 14 majit.
Agjencia e drejtuar nga Dallëndyshe Bici po shpërndan për qytetarët legalizime në këmbim të votës” thuhet në padinë që u depozitua në SPAK.
Më tej, Vokshi thotë se “në godinën e ASHK janë regjistruar nga pamje filmike të gazetarëve, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të hynin në mënyrë të fshehtë nga pjesa e pasme, garazhi.
Qytetarë të pyetur janë shprehur se kanë shkuar në institucionin në fjalë, pasi janë thirrur në telefon nga zyrtarët e institucionit. Rikujtojmë se ngjarja e ndodhur përkon në ditën e heshtjes zgjedhore.
Partia Demokratike pas verifikimeve dhe rezultateve arriti në konkluzionin se veprimi i kryer më sipër është një vepër e pastër penale nga drejtuesit dhe punonjësit e institucionit.
Partia Demokratike i bën thirrje SPAK për regjistrimin dhe fillimin e një procedimi penal ndaj personave të kallëzuar, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe sqarim sa më të saktë të rrethanave më sipër” mbyllet deklarata.