Zgjedhjet mbaruan. Fituesi është Edi Rama dhe humbësi i madh, Sali Berisha. Tani fjalën e ka standardi i zgjedhjeve dhe problemet. Gjatë maratonës në Report Tv, i pyetur nga gazetari Ilir Babaramo, se çfarë shkoi keq në këtë proces, Bledian Koka e krahasoi procesin e 14 Majit me atë që ndodhi në 1996.
“14 Maji ka shumë mesazhe që duhen trajtuar. Duhen gjetur arsyet se çfarë është kjo fitore kaq e madhe e PS-së dhe çfarë ka ndodhur te PD-ja, koalicioni dhe standardi i zgjedhjeve. Se çfarë ishin zgjedhjet, vlerësimi më i paanshëm është nga ai që dëgjuam nga OSBE. Ka qenë një nga raportet më problematike që unë kam dëgjuar ndonjëherë.
Jemi në të njëjtat kalenda si në ’96. Kur flasim për përdorimin e administratës dhe këtë e konfirmon edhe OSBE, asfalti, vijës që nuk ndahet mes pushtetit dhe shtetit, presionet ndaj administratës, besoj jemi duke folur për të njëjtën gjë.
Fenomeni i shit-blerjes së votës. Garancia që nuk morëm nga identifikimi elektronik. Sot SPAK-u duhet të tregonte se çfarë bënë në terren. Standardi i zgjedhjeve është si në Afrikë. Për mua këto nuk janë zgjedhje” tha ai.
Në vijim të bisedës, gazetari Koka tha se një nga shkaktarët e humbjes së thellë të koalicionit të Berishës ishte përzgjedhja e kandidatëve. Ai mori shembull Shkodrën dhe Kukësin.
“Shoh që ka disa mesazhe që në shumë vende është gabuar me kandidatët dhe janë injoruar faktorë lokalë. Kur shohim humbjen epike të PD-së në Shkodër, ajo që nuk na lë të mos e marrim në konsideratë është fitorja aktuale e Fisnik Qoses në Kavajë.
PD do të duhet të bëjë një analizë të brendshme të fortë, se kush dhe çfarë, dhe sesi duhet pasur parasysh sidomos në rastin e zgjedhjeve lokale tek përzgjedhja e kandidatëve. Në Kukës është gabuar me kandidatin.
Nuk ishte i duhuri. Unë psh mendoj se kandidat në Kukës duhet të ishte Irel Elezi. Admir Sinemati që ishte kandidat nuk jeton në Kukës. Në Shkodër nuk kishte pse të mos zhvilloheshin “Primaret” tha ai.
Gazetari Fatos Çoçoli u ndal tek një tjetër fenomen, shitblerja e votës. “Raporti i OSBE-së pritej që do të ishte i tillë. Ata bëjnë thjesht detyrën e tyre dhe konstatojnë ato të meta që ne i dimë edhe pa na i thënë ata. Shit-blerja e botës, që për mendimin tim nuk është masive. Nuk mendoj se shit-blerja e votës ka qenë përcaktuese” tha ai.