Vajza e Fredi Belerit, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” që arriti të fitojnë zgjedhjet lokale në Bashkinë e Himarës, ka reaguar sërish lidhur me arrestimin e të atit pak ditë para zgjedhjeve. 18-vjeçarja Hermione Beleri foli lidhur me fjalimin e saj parazgjedhor, teksa i ati i saj ndodhej në burg, duke thënë se ishte diçka që duhej bërë.
Vajza 18-vjeçare e Fredi Belerit tha gjithashtu se që nga e enjtja kur autoritetet shqiptare arrestuan të atin, ajo nuk ka mundur të flasë me të! Sipas mediave greke ajo tha gjithashtu se numërimi i votave në Himarë nisi shumë vonë dhe përshkroi emocionet që mbizotëruan.
“Kur doli rezultati pati një shpërthim gëzimi nga të gjithë. Presim gjykatën për ta nxjerrë nga burgu. Atë që dini ju, e dimë edhe ne”, tha Hermione Beleri.
Fredi Beleri e ka bërë deklaratën e tij të parë për fitoren e tij në zgjedhjet bashkiake në Himarë përmes Facebook-ut, teksa ndodhej në burg.
“Demokracia fitoi! Himara fitoi! Unë u jam mirënjohës atyre që nuk treguan mendjelehtësi. Unë simpatizoj ata që nuk iu dorëzuan terrorizmit. Sot nuk ka fitues dhe humbës, të gjithë qytetarët e Himarës dhe unë si Kryetar Bashkie, i pari mes të barabartëve, ecim të bashkuar për t’u bërë edhe më të fortë, duke mbrojtur Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut!”, ka shkruar ai në llogarinë e tij.