Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Rrogozhinën, Shkëlqim Hoxha akuzon se i hoqën fitoren nga duart me kutinë e të dënuarve. Ai tha se ishte në avantazh deri në momentin e fundit ku sipas tij rezultati përfundimtar u tjetërsua nga kutia e votimit nga burgut që i dha fitoren Edison Memollës.
“Procesi zgjedhor në bashki përfundoi dhe populli i Rrogozhinës dha verdiktin e tij dhe votoi për mua. Domethënë si bashki unë jam fitues, ndërsa në fund fare me kutinë burgut, që është në konflikt të plotë interesi u tjetërsua rezultati i zgjedhjeve.
Një kuti burgu ku të gjithë burgosurit votojnë pro kandidatit që është kryetari i bashkisë aktual e për çudi të gjithë të burgosurit votojnë pro atij. Por më e keqja është se nuk ka asnjë lloj transparence, se kujt i lejohet dhe kujt nuk i lejohet të votojë nga burgu”, tha ai.