Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Kurbinit, ku një automjet është qëlluar me armë zjarri. Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për makinën e ish-deputetit të PS, Armando Prenga, i cili ka qenë brenda në momentin e atentatit.
Për fat të mirë nuk ka persona të lënduar. Autori është një 29-vjeçar që u arratis me një makinë tip “Benz”. Policia u vendos në ndjekje të tij.
“A. P., 49 vjeç, ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Kurbin se në Fushë Kuqe, ndërkohë që qarkullonte me automjet, F. I., 29 vjeç, kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit F. I., i cili është shpallur në kërkim, bashkë me automjetin tip “Benz” me të cilin është larguar” njofton policia.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.