Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kamzë, Arjan Hoxha protestoi sot përpara KQZ me një grup të rinjsh. Ai akuzoi se votat e tij u tjetërsuan nga sistemi i votimit elektronik. Kamza është e vjedhur, tha ai, duke kërkuar rihapjen e dokumentacionit.
“Rezultati ishte i paracaktuar tek numërimi elektronik. Do të çojmë ankesat tona në KAS, KQZ. Të ngrihet një grup ekspertësh të huaj. Besimi te institucionet ka rënë. Prandaj ne sot po ngremë zërin. Ky ishte një sistem i pilotuar, por pa pilot.
Nuk ka ndodhur që një kandidat të ketë humbje në të gjitha qendrat e votimit. Mirë që kandidatin nuk e kanë pëlqyer, por në votat politike, çfarë ndodhi në Kamzë, erdhi mesia, që edhe në këshillin Bashkiak e përmbysi PS-ja?
Të gjithë në Kamzë e ndiejnë veten të tradhtuar. Do të ndjekim cdo rrugë ligjore. Kemi fakte filmike dhe komunikime mes individëve, ku thonë “votave Arjan Hoxhën dhe më doli Rakip Suli. Të tjerë thonë nuk më doli tastiera që shtypa”.
Do të kërkoni hapjen e kutive? “Absolutisht. Do të kërkojmë ballafaqimin e regjistrit elektronik me fletët fizike. Ekspertim nga ekspertë të huaj. Listat dhe sa prej tyre janë shoqëruar në qendrën e votimit” tha Hoxha.
Në fund sfidoi Rakip Sulin. “Unë e sfidoj Sulin që ta vendosë kutinë e votimit me fletë votimi në 10 qendra dhe nëse fiton unë largohem nga politika”.
“Bashkë Fitojmë” protestë përpara KQZ-së, policia blindon institucionin