Në datë 21 Maj Greqia shkon në zgjedhje parlamentare. Në ditët e fundit fushata është mjaft e fortë, madje paritë politike në Athinë përdorën edhe rastin e arrestimit të Fredi Belerit në Shqipëri për të mbushur “thesin” e votave të dielën.
Por kush kryeson? Mediat greke kanë publikuar sondazhet e fundit. Partia e kryeministrit aktual, Kyriakos Mitsotakis “Nea Demokracia” udhëheq në sondazhe me 5% krahasuar me “SYRIZA”-n e liderit opozitar Alexis Tsipras.
Konkretisht “Demokracia e Re” renditet e para me 31.4%, SYRIZA 26.4%, ndërsa PASOK-KINAL ndjekin me 8.3%, etj. Për të formuar qeverinë, bazuar te rezultatet e sondazhit dy partive kryesore u duhet koalicioni.
Në zgjedhjet parlamentare të 21 majit në Greqi po marrin pjesë në garën elektorale edhe shtatë pjesëtarë të komunitetit të emigrantëve shqiptarë, që jetojnë prej vitesh në vendin fqinj. Dy prej kandidatëve Fatos Malaj dhe Niko Bilika kandidojnë për PASOK, njëri në Athinë dhe tjetri në Selanik.
Tre kandidatë të tjerë Adiljan Koxhaj, Makrina Koci dhe Angjelos Jahollari konkurrojnë me Partinë “SYRIZA” në Selanik dhe Evia. Sidorela Kalthi garon për Partinë Komuniste greke në Kretë dhe Paty Vardhami kandidon në Athinë me nismën “MERA 25”.