24 mijë trupa dhe mjete ushtarake amerikane, shqiptare dhe partnere zbarkojnë sot në Sheshin “Nënë Tereza”, në stërvitjen më të madhe të vitit Defender Europe 2023. Presidenti Bajram Begaj u shpreh se koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale.
“Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë. Padyshim meritat për këtë i takojnë secilit prej burrave dhe grave në uniformë që shërbejnë në Forcat tona të Armatosura dhe nderojnë dhe lartësojnë çdo ditë flamurin e Shqipërisë.
Ju jeni një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe mirënjohja për angazhimin dhe profesionalizmin tuaj nuk mund të shprehet mjaftueshëm. Unë ndihem krenar, që kam qenë njëri prej jush; e në pozitën time si Komandant i Përgjithshëm inkurajoj qeverinë të shtojë akoma më shumë mbështetjen për Forcat e Armatosura dhe kontributin e Shqipërisë në NATO.
Çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit; është një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrsesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet. Koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale” tha ai.
Stërvitja e NATO-s në Shqipëri, Rama: Jemi pikë referimi në Europë