Uashingtoni ka reaguar menjëherë ndaj vendimit të një gjykate ruse për të zgjatur për tre muaj paraburgimin e Evan Gerskovich ku ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetarit amerikan të Wall Street Journal.
“Ai nuk duhet të jetë as i burgosur. Gazetaria nuk është krim. Ai duhet të lirohet menjëherë ”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për CNN.
“Ne do të punojmë shumë për të parë nëse mund ta kthejmë atë në shtëpi, pranë familjes së tij, ku ai i përket.”
Pak më parë, një gjykatë ruse vendosi zgjatjen për tre muaj të paraburgimit të Evan Gerskovich.
“Gjykata pranoi kërkesën e hetuesve për zgjatjen e masës parandaluese të paraburgimit deri më 30 gusht ”, tha gjykata, sipas agjencive ruse të lajmeve.
TASS raportoi se shërbimi rus i sigurisë FSB i kërkoi gjykatës së Moskës që po shqyrtonte çështjen një zgjatje tre-mujore të paraburgimit të Gerskovich.
Gazetari u arrestua në mars me dyshimin për spiunazh, një akuzë që ai dhe gazeta e tij e mohojnë.
Zyrtarët amerikanë janë ende duke shtyrë për të fituar akses konsullor në Gershkowitz, tha Kirby.
“Nuk ka asnjë arsye për të mohuar aksesin konsullor… Ne vërtet duam ta kemi atë akses konsullor,” shtoi ai.
Moska ka refuzuar dy herë kërkesat e ambasadës amerikane në Moskë që anëtarët e ambasadës të vizitojnë gazetarin.
Ministria e Jashtme ruse e arsyetoi refuzimin e kërkesave si hakmarrje për refuzimin e Uashingtonit në prill për t’u dhënë viza gazetarëve rusë që shoqëronin ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në selinë e OKB-së në Nju Jork.