Shqipëria luan me Moldavinë në shtëpi më 17 qershor dhe me 20 qershor do të jetë transferta në Ishujt Faroe. Pesë muaj pas emërimit në krye të Kombëtares, Sylvinho tregoi jetën në Shqipëri. Trajneri i parë i huaj i stacionuar vetëm në vendin tonë, zbuloi preferencën për ushqimet shqiptare dhe tregoi ditën e tij normale të punës.
“Ndihem shumë mirë në Tiranë, një qytet shumë i bukur, eksperiencë e madhe në jetën time. Ushqimi është shumë i mirë, njerëzit janë gjithashtu shumë të sjellshëm. Sa i përket punës, jemi gjithë ditën në zyrat e FSHF, e nisim ditën e punës në ora 09:00 dhe punojmë deri në ora 16:00 apo edhe deri në ora 18:00 të pasdites. Kemi pasur rastin të punojmë me djemtë e Kombëtares në fushë herën e parë për ndeshjen me Poloninë, janë seriozë në punë dhe profesionistë të nivelit të lartë. Jam i kënaqur prej tyre dhe nga e gjithë puna që kemi bërë këtu”, tha Sylvinho.
Në këtë fund të sezonit, puna është intensifikuar, pasi Shqipëria luan dy ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Pas humbjes minimale në debutim me Poloninë, këto dy sfida mund të jenë vendimtare për ecurinë në kualifikueset e Europianit 2024.
“Herë pas here shkojmë në Itali, Zvicër, Portugali, në Spanjë apo Angli për të takuar dhe për të dëgjuar lojtarët. I japim rëndësi takimit me lojtarët atje ku janë, të flasim sy më sy dhe të krijojmë marrëdhënie të mira me ta. Takojmë edhe lojtarë që janë të dëmtuar, sepse edhe një përqafim apo një takim me ta është një moment i rëndësishëm. Pas përfundimit të kampionateve duhet menaxhuar rikthimi i lojtarëve për ndeshjet e Kombëtares. Na presin dy ndeshje të vështira, nisim rrugëtimin tonë dhe duhet të luftojmë fort për objektivin tonë”, u shpreh trajneri.