Uashingtoni edhe një herë i është nënshtruar presionit të aleatëve evropianë dhe liderëve të Ukrainës dhe është pajtuar që të ofrojë armë më të sofistikuara për të ndihmuar në përpjekjet e luftës të Kievit. Këtë radhë bëhet fjalë për avionët luftarakë F-16.
Ukraina për një kohë të gjatë ka kërkuar që t’i ofrohen avionë të sofistikuar, teksa Rusia po vazhdon pushtimin e këtij shteti, pushtim që tashmë është në vitin e dytë. Dhe ky plan i ri hap derën që disa shtete të furnizojnë Ukrainën me avionët e gjeneratës së katërt dhe për SHBA-në që të ofrojë ndihmë për të trajnuar pilotët. Presidenti amerikan, Joe Biden, ua ka paraqitur këtë marrëveshje udhëheqësve botërorë gjatë samitit në Hiroshima të Japonisë.
Deri më tani, SHBA-ja nuk ka ofruar detaje dhe tha se vendime se kur, kush dhe sa avionë F-16 do t’i jepen Ukrainës, do të bëhen publike në muajt në vazhdim, ndërkaq trajnimet pritet të nisin së shpejti. Detajet lidhur me trajnimet po ashtu janë të pakta. Zyrtarët amerikanë, që kanë folur në kushte anonimiteti, thanë se detajet e këtij plani ende nuk mund të bëhen publike.
Megjithatë, me këtë vendim, administrata Biden ka bërë një kthesë të madhe, pasi paraprakisht për më shumë se një vit kishte refuzuar që të miratonte çdo dërgesë të avionëve apo të ofronte trajnime, për shkak të shqetësimeve se diçka e tillë do të mund të përshkallëzonte tensionet me Rusinë.