Në Shqipëri përshkallëzimi i largimit të mjekëve nga vendi, gjatë viteve të fundit ka marrë tiparet e asaj që quhet “rrjedhje e trurit”.
Kjo ka nxitur disa studiues të kryejnë një studim mbi arsyet e këtij emigrimi si dhe të faktorëve që do të ndikonin në rikthimin e tyre. Studimi është botuar në faqen e Universitetit të Sussex-it në Britani.
Ndër shtysat kryesore në të dyja rastet, studimi veçon faktorët ekonomikë, edukimin, stabilitetin politik dhe luftën ndaj korrupsionit.
Emigrimi i mjekëve është një shqetësim dhe për vendet e rajonit, por në Shqipëri ky fenomen ka pasoja më të rënda për shkak të dobësive në sistemin shëndetësor.
Për më shumë se tre dekada, emigracioni në Shqipëri është në një shkallë të lartë dhe bazuar në të dhënat e INSTAT, sot rreth 38% e popullsisë jeton jashtë vendit.
Studiuesit konstatojnë me shqetësim se emigrimi po merr formën e asaj që quhet “rrjedhje e trurit”, dhe se rreth 40% e flukseve emigratore në dhjetë vitet e fundit kanë këtë tipar.
Një prej elementëve të tij është largimi i mjekëve nga vendi. Një studim i fundit i botuar në faqen e Universitetit të Sussex-it, në Britaninë e Madhe, sjell një panoramë shqetësuese të asaj që ndodh sot në sistemin shëndetësor shqiptar.