Lulzim Basha rikthehet në skenën politike me qëllimin e qartë për të marrë sërish Partinë Demokratike. Pas më shumë se një viti dorëheqje, priti dështimin e PD-së në zgjedhjet lokale dhe u rikthye pak ditë pasi Enkelejd Alibeaj u largua si drejtues i komanduar. Në një skenë të improvizuar me të rinjtë, që i referoheshin si kryetar i PD-së dhe i kërkonin që të rikthehej, Basha tha se do të kemi kohë për të gjitha.
“Unë kam dhënë dorëheqjen. Më thoni, zoti Basha, ose po të doni në emër. Nuk ka nisur akoma ndonjë fushatë. Këtu duhet të flasim në mënyrë të relaksuar. Do të kemi kohë për të tjerat” tha ai.
Më pas, Lulzim Basha kaloi në sulm kundër klasës politike, Edi Ramës dhe Sali Berishës veçanërisht. “Me aq sa e ndoqa unë, fushata vetëm ofertë nuk kishte.
Cdo lloj shprehie kishte, gjuhë agresive, sulme, tallje, tallava, por jo ofertë. Gjithçka është kthyer në shfaqje për t’u zbavitur. Po riciklohet e vjetra pa fund.
Si do të hapet rruga për të rinjtë? Politika në këtë moment ka humbur cdo të drejtë për t’i kërkuar besim shoqërisë, duhet ti japë besim rinisë.
14 Maji është data e skadencës së sistemit politik në Shqipëri me ndryshimet e 2008, të dy janë akoma aktorë të skenës politike” tha ai.