Ish-lideri i Partisë Demokratike, aktualisht deputet i kësaj force politike, Lulzim Basha pritet të bëjë daljen e tij të parë publike, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 majit.
Sipas një njoftimi për mediat, Basha pritet të zhvillojë sot një takim me të rinj e të reja të kësaj force politike në ambientet e Hotel “Tirana” në kryeqytet. Nuk dihet arsyeja e këtij takimi apo tema.
Nuk dihet nëse kjo është një lëvizje e Bashës drejt një rimarrjeje nën kontroll të Partisë Demokratike, duke qenë se pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt, brenda grupit të këtij të fundit, askush nuk po e merr kontrollin e kësaj force politike.
Kujtojmë se, disa javë më parë, në emisionin “Çim Peka Live” u publikua një video sipas “SyriTv” e takimit të fshehtë mes Lulzim Bashës dhe Taulant Ballës, takim, të cilin të dy protagonistët e mohuan, madje e quajtën edhe montazh.