Japonia mbajti një ceremoni të mërkurën prej ku dhuroi rreth 100 automjete ushtarake për Ukrainën. Ky veprim i Tokios zyrtar synon të furnizojë Ukrainën me pajisje ushtarake më të rënda, krahasuar me dërgesat e tyre të mëparshme të helmetave dhe kostumeve ushtarake. Në një ceremoni në Ministrinë e Mbrojtjes, në të cilën ishin ekspozuar dy kamionë gjysmë ton, zëvendësministri japonez i Mbrojtjes Toshiro Ino i dorëzoi ambasadorit ukrainas Sergiy Korsunsky, një dokument ku renditeshin tre llojet e automjeteve të përfshira në donacion.
“Shpresojmë që pushtimi të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të rikthehet jeta e përditshme paqësore. Ne do të ofrojmë sa më shumë mbështetje që të mundemi”, tha Ino. Dhurimi, i cili përfshin gjithashtu edhe 30,000 racione ushqimore, vjen në kohën kur Qeveria e Japonisë po kërkon të lehtësojë politikën e transferimit të pajisjeve ushtarake, përmes një politike të re të sigurisë kombëtare që i lejon ushtrisë së saj një rol më të madh sulmues.
Teksa vendet e tjera i kanë ofruar Ukrainës tanke, raketa dhe avionë luftarakë, Japonia ka kufizuar donacionet e saj në pajisje jovdekjeprurëse, sepse politika e transferimit ndalon ofrimin e armëve vdekjeprurëse për vendet në luftë. Japonia i ka ofruar Ukrainës jelekë antiplumb, helmeta, maska kundër gazit, kostume, drone të vegjël dhe racione ushqimore që nga fillimi i pushtimit rus vitin e kaluar.