Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në parlament se në vijim do të rihapet diskutimi për fashën e energjisë elektrike për ata që harxhojnë më shumë.
Deri tani qeveria ka subvencionuar familjet dhe biznesin e vogël, teksa të tjerët e paguajnë me çmimin e tregut që u rrit pas krizës. Por tani, që përkon me mbarimin e zgjedhjeve, qeveria njofton se do të çelë edhe njëherë diskutimin për vendosjen e fashës.
“Ajo që paguajnë familjet nuk është vlera reale e faturës. Familjet dhe biznesi i vogël paguan ekzaktësisht sa paguan me çmimin përpara krizës. Ka rënë çmimi në tregun ndërkombëtar, por nuk është kthyer aty ku ishte.
Qeveria ka pasur dhe ka vullnetin për të paguar për familjet dhe biznesin e vogël. Por me ardhjen e verës konsumi rritet në mënyrë të ndjeshme dhe ne do të duhet të hapim diskutimin e fashës. Por sot për sot jemi në këto kushte, që vazhdojmë paguajmë dhe është një sasi e madhe parash” tha Rama.