Ndonëse bizneset po ankohen si asnjëherë tjetër për mungesën e fuqisë punëtore dhe tregu po e vuan ikjen e brezit të ri, papunësia tek të rinjtë shqiptarë është më e larta në Europë, sipas të dhënave të INSTAT dhe Eurostat, teksa shumë prej tyre po preferojnë të largohen, ose “refuzojnë” të punojnë në punë që paguhen pak.
Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5% në 3-mujorin e fundit 2022 dhe rreth 20.7% për vitin 2022. Në krahasim me mesataren europiane prej 6.3% (të raportuar nga Eurostat), shkalla e papunësisë tek të rinjtë shqiptarë është mëse tre herë më e lartë.
I gjithë rajoni ka arritur ta ulë papunësinë tek të rinjtë vitet e fundit (Maqedonia e Veriut e kishte treguesin mbi 20% deri në vitin 2015), ndërsa në Shqipëri në vitin 2022 papunësia tek të rinjtë shënoi një rritje të lehtë. Shqipëria është e vetmja në Europë që e ka ende shkallën e papunësisë tek të rinjtë mbi 20% (të dhënat për Kosovën mungojnë).
Në tetor-dhjetor 2022 rezultuan në vend të papunë 75,050 persona të moshës 15-29 vjeç, ose 3,669 te rinj më shumë të papunë se njëjta periudhe e vitit të mëparshëm, me rritje gati 5.1%.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se sipas nivelit arsimor, papunësia te grupmosha 15-29 vjeç, është më e lartë për ata me arsim të mesëm (25.3) dhe më pak për arsimin 8/9 vjeçar (18.9%) dhe atë të lartë (18.7%). Sipas gjinisë, papunësia është më e lartë tek të rinjtë (22.4), ndërsa të rejat e kanë këtë tregues 20.5%./monitor