Shkodër/Vijon megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Alpe të pastra”. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Shkodër dhe nga strukturat operacionale të DVP Shkodër, faza e tretë e këtij megaoperacioni. Në megaoperacion u përfshinë 80 forca policore dhe 6 dronë.
Evidentohen dhe asgjësohen 1437 fidanë cannabis sativa, nga të cilët 137 fidanë të kultivuar në kubikë dhe 1300 fidanë të kultivuar në tokë, në 2 ambiente të ndryshme. Vihen në pranga 2 autorë të dyshuar për këtë veprimtari kriminale dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë kontrolleve në territorin e fshatit Gjuran, njësia administrative Pult, dhe në territorin e fshatit Vilzë, njësia administrative Postribë, u evidentuan të kultivuara në tokë 1300 fidanë cannabis sativa dhe 137 fidanë të tjerë u evidentuan në kubikë, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë. Fidanët narkotikë janë asgjësuar me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Falë veprimeve të shpejta operacionale, bazuar dhe në informacionet e siguruara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e 4 shtetasve si autorë kryesorë të dyshuar të këtyre tentativave për kultivimin e fidanëve narkotikë. 2 prej këtyre shtetasve janë vënë në pranga dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, konkretisht:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit Myrto Lisaj, 43 vjeç, banues në fshatin Limsh dhe Bashkim Fregjaj, 53 vjeç, banues në fshatin Vilzë, autorë të dyshuar të kultivimit të 350 fidanëve në tokë dhe 137 fidanëve në kubikë;
-u shpallën në kërkim shtetasit L. F. dhe P. F. (babë e bir), pasi në territorin e banesës së vjetër të tyre, janë gjetur 950 fidanë të kultivuar në tokë.