Njoftimi i Policisë:
Pogradec Policia e Pogradecit u vjen në ndihmë 5 turistëve çekë, të cilët kishin humbur rrugën, duke eksploruar zonën e Jollës.
Ditën e sotme, një grup punonjësish të Komisariatit të Policisë Pogradec, gjatë kontrollit të territorit, pasi kanë marrë njoftim se në fshatin Zgallë, njësia administrative Velçan, 5 turistë çekë kishin humbur rrugën duke eksploruar këtë zonë, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve.
Punonjësit e Policisë i kanë shoqëruar turistët dhe i kanë orientuar në rrugë, ku më pas ata kanë marrë edhe mjetet e tyre motorike.
Turistët çekë kanë falënderuar punonjësit e Policisë, për ndihmën e ofruar.