Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave, ka bërë të ditur se nga zhvillimet e ditës së hënë në veri mbetën të plagosur 30 ushtarë.
Siç thuhet në njoftim, 11 ushtarë ishin nga kontigjenti italian dhe 19 nga kontigjenti hungarez.
“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thotë KFOR.
Tutje, në reagim thuhet se, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapo zgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën.
“Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të provokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj të OKB-së në mënyrë të paanshme”, vijon reagimi.