Reshjet e dendura të shiut përmbytën ishullin italian të Sardenjës këtë të mërkurë. 6 familje u evakuan, teksa uji vërshoi brenda banesave duke mbushur bodrumet.
Këto reshje vijnë pas një jave të tmerrshme që përjetoi rajoni verior i Emilia Romagnias, ku humbën jetën 15 persona. 36 mijë banorë u evakuan dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre janë rikthyer tashmë në shtëpitë e tyre.
Për këtë arsye qeveria italiane ofroi një fond prej 2 miliardë eurosh, nga i cili do të përfitojnë edhe bizneset dhe fermerët e dëmtuar. Po ashtu, ajo mori vendim që çmimi i biletave për në muzetë shtetërore të rritet me 1 euro dhe paratë e mbledhura do të shkojnë për riparimin e institucioneve kulturore.
Edhe Turqia është përballur me mot të paqëndrueshëm. Në pamje duket uji që vërshon nëpër rrugët e qytetit të Izmirit, ndërsa mjetet dhe disa shtëpi u përmbytën. Tregarët e Komundës Cigli akuzuan drejtuesit për mungesën të investimeve në infrastrukturë, pasi situata sipas tyre është e përsëritur.