Qeveria vendosi sot me një vendim të Këshillit të Ministrave që të shkrinte Akademinë e Studimeve Albanologjike. Qeveria e quan këtë një mbyllje me qëllim riorganizimin e njësive të saj kryesore nën diktatin e Akademisë së Shkencave që drejtohet nga Skënder Gjinushi. Sot, ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se Akademia e Studimeve Albanologjike jo vetëm që nuk justifikon rrogat, por është në shkelje të thellë. Por Akademia e Studimeve Albanologjike deklaroi se nuk e njeh vendimin.
Rama e shkriu, Akademia e Studimeve Albanologjike: S’e njohim vendimin
VENDIMI I PLOTE
- Mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të saj tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
- Njësitë kryesore ekzistuese, Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike riorganizohen si njësi të kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, brenda datës 31dhjetor 2023.
- Të gjitha asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në administrim të Akademisë së Studimeve Albanologjike kalojnë në administrim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila ka detyrimin t’i ruajë dhe t’i mirëmbajë pasuritë në administrim dhe nuk mund të ndryshojë apo të tjetërsojë destinacionin e tyre, në përputhje edhe me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore.
- Akademia e Studimeve Albanologjike ka këto detyrime:
- a) Të marrë të gjitha masat për transferimin e studimeve për doktorantët e padiplomuar në ciklin e tretë të studimeve për fitimin e gradës shkencore “Doktor” në institucione të tjera të arsimit të lartë, vendase apo të huaja, që ofrojnë programe studimi në fusha të njëjta apo të ngjashme;
- b) Të përgatitë dosjen për çdo doktorant, me dokumentacionin e nevojshëm dhe t’ia vendosë në dispozicion doktorantëve, pa detyrim financiar shtesë nga ana e tyre, brenda datës 31 gusht 2023;
- c) Të përcjellë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dosjet e doktorantëve që nuk do të tërhiqen prej tyre, brenda datës 8 shtator 2023;
ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e saj akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi për arkivat;
- d) Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar, deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim.
- Akademia e Studimeve Albanologjike të marrë masa që të vijojë ushtrimin e veprimtarisë së saj akademike, kërkimore-shkencore, administrative dhe financiare, deri në transferimin e plotë të njësive përbërëse pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
Shkrihet Akademia Albanologjike, qeveria: Nuk justifikojnë pagën (Shkeljet)