Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas kritikave të marra nga ndërkombëtarët në lidhje me tensionet në veri në intervistën e tij të fundit të zhvilluar u shpreh se ata e kanë pranuar Kosovën me këta kufij.
Kurti gjatë intervistës në “Konfront” të KTV-së tha se bandat kriminale bujarinë eventuale të institucioneve e shohin si frikë dhe dobësi.
”Marrëdhëniet me Aleatët ndërkombëtarë janë shumë të mira dhe janë intensifikuar këto dy vite. Ata e kanë njohur Kosovën me këtë kufijtë që i kemi me hartën në flamur. Ne s’po bëjmë asgjë të veçantë, kushtetutshmëri e ligjshmëri”, ka thënë Kurti.
“U dëshmua që karshi bandave nacional-shoviniste, çfarëdo gjenerozitet apo bujarie, keqkuptohet si frikë apo dobësi. Pra, në momentin që kryetari i komunës nuk shkon atje, a mendon që do të jenë falënderues ata? Ata thonë u frikësuan, e shihni, ata janë të dobët”.
“Ligji dhe kushtetuta jonë e kërkon që të mos ketë banda, të mos ketë individ më të fortë se ligji”, ka deklaruar Kurti.