Kryeqyteti është kthyer në një kantier ndërtimi vitet e fundit. Që nga viti 2017, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit është rritur ndjeshëm, duke kulmuar në 2022, në 1.8 milionë metra katrorë, që është niveli më i lartë historik i pas viteve ’90.
Krahas kërkesës së shtuar nga të huajt dhe emigrantët, blerjes për arsye investimi, interesit nga çiftet e reja, një nga potencialet më të mëdha ishte shtesa e popullsisë çdo vit në Tiranë. Nga viti 2012 deri në 2018-n, të dhënat e INSTAT tregojnë se popullsia e Tiranës shtohej mesatarisht me 20 mijë persona në vit.
Por, që nga viti 2019, shtesa e popullsisë në Tiranë është zvogëluar ndjeshëm, teksa dhe kryeqyteti nuk i ka shpëtuar tendencës së emigracionit dhe plakjes graduale të popullsisë. Në 2019-2020, kryeqyteti kishte 11 mijë banorë më shumë, shifër që u përgjysmua në vitet në vijim.
Në 2022, (sipas shifrave më të fundit të INSTAT, që raportoi popullsinë e janarit 2023) , popullsia në kryeqytet u shtua me vetëm 5.75 mijë persona, që është shtesa më e ulët historike, të paktën që nga viti 2011, kur INSTAT raporton të dhënat.
INSTAT raportoi se popullsia e Shqipërisë në vitin 2022 ka shënuar rënien më të lartë në tre vjet, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak.
Më 1 janar 2023 Tirana zë rreth 33,5% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,5% dhe 9,8% përkatësisht.
Pavarësisht ngadalësimit kryeqyteti mbetet i vetmi që po sheh rritje vjetore të popullsisë.