Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, biseda ishte e përqendruar rreth zhvillimeve të fundit në vend, me theks te situata në katër komunat në veri të vendit, për çka kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly për kronologjinë e ngjarjeve dhe e përditësoi me më të rejat.
Kryeministri tha se situata këto ditë është përgjithësisht e qetë sepse nuk ka sulme të urdhëruara dhe të orkestruara nga Beogradi ndaj forcave të rendit dhe sigurisë.
Për sa i takon rrugës përpara drejt deeskalimit të plotë ai tha se sundimi i ligjit duhet të jetë hapi dhe parimi bazë.
“Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira e demokratike, dhe një fushate parazgjedhore të hapur dhe fer”, citohet të ketë theksuar Kurti.
Ai po ashtu foli për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për marrëveshjet e arritura së fundmi në Bruksel dhe Ohër dhe rëndësinë e zbatimit të shpejtë, të plotë dhe të pakushtëzuar.
Po ashtu thuhet se Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly dhe për propozimin e Qeverisë e Kosovës, të inspiruar nga modeli kroat, në kuadër zbatimit të nenit 7 të Marrëveshje Bazike, dhe për nevojën për angazhim më të madh në sekuencimin e duhur të zbatimit të plotë të Marrëveshjes, dhe për gatishmërinë e tij për takime të radhës drejt këtij qëllimi.
Kryeministri vlerësoi rolin dhe kontributin e Lord Stuart Peach teksa shprehu falënderimin për mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar.