Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale e pranoi sot se ka demokratë që kërkojnë që të mos vazhdohet më me denoncimet e asaj që cilësohet farsë elektorale. Por, lideri i së djathtës kishte një përgjigje për këtë sugjerim.
“Ka demokratë jo të kënaqur që ne denoncojmë farsën elektorale mbasi ata shprehen se kjo është një praktikë që PD e ka bërë të zakonshme.
Por dua të bëj një sqarim. Nëse ne nuk e bëjmë këtë, ne “de facto” ulim kokën përpara batërdisë së Edi Ramës dhe japim dritën jeshile që të thellojë krimin elektoral në zgjedhjet e ardhshme.
Ajo që mund t’u them është se vazhdon përpjekja jonë për identifikimin e farsës elektorale të majit 2023 në çdo segment dhe qelizë të saj.
Në një proces të cilin unë e konsideroj si mbrojtje të votës, dhe në të vërtetë në rast se ne nuk përmbushim këtë detyrim, de facto ne legjitimojmë farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e vendit.
Ndaj po punojmë me intensitet çdo ditë për realizimin e këtij objektivi, sikundër do kalojmë në analizë të plotë të të gjithë problematikës që u konstatua gjatë zgjedhjeve nga PD dhe në PD” tha ai.