Prishtina zyrtare mbrëmjen e djeshme e hodhi poshtë draftin e Edi Ramës për Asociacionin në veri të Kosovës. Sot kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka cilësuar të gabuar veprimin e kryeministri Edi Rama. Ai deklaroi se Edi Rama nuk do të duhej që të bënte veprime të tilla pa u ulur dhe sqaruar me kryeministrin Albin Kurti.
“Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash por asnjëri nuk ka pasur efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen.
Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku.
Ata takohen shpesh mendoj por ky ishte një veprim i anshëm. Mendoj që institucionet tona dhe ministritë tona janë duke punuar ngushtë me aleatët edhe partnerët që kjo situatë të tejkalohet”, tha ai.