Mali i Zi nga mesnata hyri në heshtje zgjedhore para zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën më 11 qershor. Të drejtë vote në këto zgjedhje, të tretat në ciklin zgjedhor brenda 9 muajve në Mal të Zi, kanë 542.468 votues që do të përcaktohen midis 15 listave zgjedhore.
Këto janë zgjedhjet e dymbëdhjeta parlamentare që nga vendosja e pluralizmit në Mal të Zi. Partia Demokratike e Socialistave (PDS) për të parën herë hyn në zgjedhje pa liderin e saj Millo Gjukanoviq, i cili pas tri dekadash është terhequr si lider i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale humbi zgjedhjet kundrejt rivalit nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Millatoviq.
Në zgjedhjet e së dielës për të parën herë ka hyrë në garë lëvizja “Evropa Tani”, e cila sipas hulumtimeve ka përkrahjen më të madhe të qytetarëve. Gjithnjë sipas sondazheve të bëra e dyta për nga numri i përkrahësve është “Partia Demokratike e Socialistave” (PDS). Lëvizjen “Evropa Tani” e krijuan ish-ministrat e qeverisë së Zdravko Krivokapiç, Millojko Spajiq dhe presidenti aktual, Jakov Millatoviq.
Të dy këta, njëri në postin e ministrit të Financave dhe tjetri në postin e ministrit të Ekonomisë mbahen mend nga opinion sepse realizuan programin “Evropa Tani 1” që nënkuptoi rritjen e pagave dhe të pensioneve dhe për këtë arsye menjëhere gëzuan popullaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në radhët e qytetarëve të Malit të Zi.