James Rubin, koordinatori i Qendrës për Angazhim Global në Departamentin e Shtetit, një qendër që drejton përpjekjet amerikane jashtë vendit, kundër dezinformimit, thotë se Kina dhe Rusia po bëjnë fushata të fortë në këtë drejtim, në të gjithë botën.
Një nga rajonet që ka qenë shpesh objektiv i dezinformimit është Ballkani. Gjatë një interviste me Zërin e Amerikës Nike Ching, zoti Rubin ndalet tek përpjekjet e Uashingtonit për të siguruar atë që e quajti integritet të informacionit në rajonin e Ballkanit, që ngjashëm me integritetin territorial, siç tha ai, nuk duhet të cënohet.
Qendra për angazhim Global në Departamentin e Shtetit u krijua për drejtuar përpjekjet e qeverisë amerikane në ekspozimin dhe kundërshtimin e propagandës së huaj dezinformuese, shtetërore ose jo, që synon minimin e stabilitetit të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Drejtori i kësaj qendre, diplomati me përvojë James Rubin thotë se shpesh, një gazetar afrikan, aziatik, apo një gazetar në Amerikën Latine, lexon informacione që kanë në bazë pikëpamjen kineze mbi botën, ku shumica e gjërave raportohen me saktësi, por kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, theksohen gjithë lajmet e këqija , ndërsa për Kinën, vetëm lajmet e mira.
“Kjo është një pamje e shtrembëruar e realitetit. Për ne nuk përbën asnjë problem që Kina dhe Rusia të tregojnë këndvështrimin e tyre, apo që të gjitha vendet e tjera të paraqesin këndvështrimin e tyre.
E rëndësishme është që burimi i lajmit të jetë transparent, të thuhet kush qëndron pas dhe të jetë tregu mediatik ai që vendos. Ne në Qendrën për Angazhim Global, përpiqemi t’u ofrojmë prova vendeve në mbarë botën, kur integriteti i hapësirës së tyre të informacionit, cënohet. Dhe kur ndodh një gjë e tillë ne kritikojmë rusët ose kinezët publikisht.”, tha ai./VOA
Artikulli i plotë këtu.