Kryeministri Albin Kurti është partneri ynë edhe pse ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, ai vazhdon të mbetet një partner, është shprehur i emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore, ka theksuar Kosova dhe vazhdon të jetë partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, t’i përmirësojmë e marrëdhëniet me Serbinë”, ka theksuar Escobar.
Sipas tij, nëse SHBA-ja do të vendoste, i gjithë rajoni do të ishte në BE deri në vitin 2030.
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030, i gjithë rajoni do të ishte brenda Bashkimit Evropian (BE)”, është shprehur i dërguari amerikan.
Ai shton se për SHBA-në, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme.
“Ne vazhdojmë të mbesim të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Karakteristika përcaktuese e Ballkanit Perëndimor për momentin është rritja ekonomike dhe potenciali i lartë ekonomik. Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka një fuqi punëtore të talentuar dhe relativisht të re. Kështu që ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim dhe shpresojmë se investimi në të ardhmen e rajonit do të ndihmojë për të kapërcyer disa nga problemet politike”, ka shtuar ai.