Në tre muajt e parë të vitit, të ardhurat nga emigrantë shënuan nivelin më të lartë të paktën që nga viti 2008, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë.
Sipas shifrave të Bilancit të pagesave të Bankës, në tremujorin e parë emigrantët dërguan në shtëpi 214 milionë euro, me një rritje prej 16% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është nivel më i lartë edhe se viti 2008, kur cikli i parë i remitancave kishte arritur kulmin.
Pas atij viti, dërgesat filluan të binin vazhdimisht, duke reflektuar largimin gradual të emigrantëve nga vendi mëmë që zakonisht ndodh pas 15-20 viteve, teksa ata krijojnë familjet e tyre dhe i shkëpusin gradualisht lidhjet me vendin mëmë.
Por, që nga viti 2017, remitancat filluan sërish rritjen, në linjë me ciklin e ri të emigracionit (në vitin 2016 u shënua dhe një nivel rekord i kërkesave për azil në rreth 60 mijë).
Pas një reduktimi deri në 2020-n, i ndikuar dhe nga pandemia, 2022-shi shënoi një kulm të ri emigracioni, ku kërkesat për azil i kërkuan 30 mijë, pjesa më e madhe e të cilëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Në kanalet e reja në vitet e fundit, krahas atyre tradicionale si Italia e Greqia ishin dhe Franca, Gjermania e Mbretëria e Bashkuar./MONITOR