Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako kërkon lirinë në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ditën e sotme avokatët e Dakos kanë dorëzuar dosjen me kërkesën për një masë më të butë sigurie, që do të thotë lirim nga qelia dhe hetim në gjendje të lirë. Vendimi i Shkallës së Parë i gjyqtarit Erion Bani ende nuk është zbardhur, por avokatët janë vendosur në lëvizje për të kapur afatet.
Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako që akuzohet për dy dosje për shpërdorim detyre deklaroi në shkallën e parë nuk kishte dijeni për katet pa leje të pallatit që u bë shkak për arrestimin e tij. Por, SPAK thotë se bashkia firmosi legalizimin e 4 kateve pa leje të pallatit pa nxjerrë akoma lejen e ndërtimit.
Për dosjen e dytë, Dako fajin ua ka hedhur vartësve që ka pasur në bashki. “Nuk kam pasur dijeni për tenderin për shëtitoren te “Currilat”. Tenderi për shëtitoren te “Currilat” ka qenë në dorë të specialistëve. Unë nuk e kam shkelur ligjin” tha ai. Por, sipas SPAK-ut, Dako ka pasur dijeni për dhjetëfishimin e tenderit.