Shqipëria U-19 ka zhvilluar sot në stadiumin “Kukës Arena” miqësoren e parë ndaj Kosovës U-19, nga dy të programuara këtë javë. Një ndeshje e bukur e me shumë raste, që përfundoi me fitoren e kuqezinjve me rezultatin 1-0.
Trajneri i ri i Kombëtares U-19, Ervin Bulku e nisi ndeshjen me këtë formacion: Tomas Kiri, Zylyf Muça, Fabian Përndreca, Adi Kurti, Arlind Kurti, Skerdi Xhixho, Oresti Kasmollari, Flavio Sulejmani, Ledio Tresa, Erald Krasniqi, Samuel Kasa.
Një pjesë e lojtarëve janë të rinj në këtë skuadër, që ka nisur procesin e rinovimit, por duhet theksuar se integrimi ka qenë mjaft i shpejtë dhe paraqitja e kuqezinjve e ka treguar më së miri këtë gjë. Pikërisht lojtarët e afruar së fundmi nga Kombëtarja U-17 kanë qenë protagonistë në këtë premierë të stafit të ri teknik.
Sakaq, më 16 qershor, Shqipëria U-19 do të luajë edhe takimin e dytë ndaj Kosovës, po në stadiumin “Kukës Arena” në ora 10:30.