Gjykata e Pejës në Kosovë ka vendosur sot masën e paraburgimit me 30 ditë për mësuesin i cili puthi në buzë nxënësen e klasës së shtatë në Deçan. Mësuesi me iniciale V.S, akuzohet për sulm seksual dhe kanosje.
Mediat kosovare shkruajnë se të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale.
“Andaj, mbi bazën e të lartcekurave, e me qëllim të zhvillimit të procedurës në mënyrë të drejtë dhe zbardhjes së plotë të gjendjes faktike, gjykata erdhi në përfundim se masa e paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës dhe se masat e tjera nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe mbarëvajtjen e kësaj çështje penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës kosovare.
Ngjarja ka ndodhur të premten, teksa është filmuar me telefon, fshehurazi përmes derës së klasës. Pmaajet janë bërë virale në rrjete sociale duke shkaktuar reagime të shumta.