Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të vinte në Kuvend dhe të mbante qëndrim për situatën në veri dhe rrëmbimin e tre policëve të Kosovës. Gjithashtu, demokrati kërkoi shpjegime edhe për draftin e Asociacionit që ka hartuar Rama dhe që Kosova e refuzoi.
“Nëse nuk merret këtu në llogari kryeministri çfarë po ndodh në Kosovë kjo do të thotë se nuk po bëjmë detyrën tonë. Ne duhet të kishim sot këtu kryeministrin. Ku është? Nuk duket kurrë. Interesi dhe konsiderata e tij për parlamentin është zero.
Ai nuk e ndjen nevojën. Ai duhet të jepte llogari për atë që u ka propozuar të tjerëve dhe jo Kosovës. Veprime, që janë sanksione. Dëmtojnë interesin kombëtar. Interesi jonë nuk është në lindje të Ukrainës, por në Kosovë” tha ai.